Ekzaminimet Gjinekologjike

Ekzaminimet gjinekologjike janë një sërë kontrollesh të cilat kanë si qëllim vendosjen e diagnozës dhe trajtimin e patologjive të organeve riprodhuese femërore. Një konsultë gjinekologjike mund të jetë e rastësishme, për një indikacion të vecantë, por mund edhe të jetë pjesë e një kontrolli rutinë që i sugjerohet cdo femre. Konsulta e parë gjinekologjike zakonisht përkon me ardhjen e menstruacioneve të para, menarkës, nga mosha 10 – 16 vjec.

Indikacione për ekzaminime gjinekologjike janë

  • Sëmundjet seksualisht të transmetueshme (SST) ose screening për SST
  • Kontroll rutinë për femrat mbi 21 vjec
  • Dhimbja
  • Ndryshime në sekrecionet vaginale
  • Shtatzania ose periudha post – partum
  • Infeksionet
  • Djegia
  • Skuqja
  • Hemoragjia
  • Crregullime të ciklit menstrual
  • Crregullime të zhvillimit seksual
  • Trauma seksuale
  • Crregullime neurologjike
  • Inkontinenca urinare
  • Crregullime të dyshemesë pelvike

Një ekzaminim i plotë gjinekologjik kalon nëpër disa stade. Në varësi të arsyes për të cilën ju drejtoheni tek mjeku gjinekolog, do të zgjidhen ekzaminimet e përshtatshme.

Anamneza Gjinekologjike

Është hapi i parë përmes të cilit merren gjithë informacionet e duhura rreth shqetësimit tuaj si edhe ndërtohet një marrëdhënie besimi me mjekun tuaj.

Pyetjet më të zakonshme janë rreth gjendjes suaj shëndetësore aktuale, ankesave që keni, përdorimit të kontraceptivëve, ciklit menstrual, sëmundjet e kaluara më parë, ndërhyrjeve kirurgjikale të kryera, shtatzanive të mëparshme, lindjeve nëse keni patur të tilla etj.

Ekzaminimi i Gjirit

Inspeksioni dhe palpacioni për të vënë re ndryshime të dukshme si irritimi, skuqja, enjtja, trashja e lëkurës, ndryshime të thithit, rrjedhje të gjirit.

Ekzaminimi Pelvik

  • Inspeksioni i jashtëm i organeve genitale, vulvës e vaginës. Kjo bëhet me qëllim që të vihen re ndryshime te tilla si skuqje, irritim, rrjedhje të sekrecioneve, kiste, shenja të ndonjë infektimi nga SST.
  • Vizita bimanuale. Është një ekzaminim që nuk mund të kryhet tek vajzat e virgjëra. Ka si qëllim përcaktimin e formës, madhësisë, lëvizshmërisë së uterusit; revizionimin e ovareve, praninë ose jo të masave adneksiale; palpimin e cerviksit, përcaktimin e formës, madhësisë dhe konsistencës së tij.
  • Ekzaminimi rektal. Përdoret zakonisht në ato raste kur nuk është e mundur të bëhet vizita bimanuale, si psh tek femrat e virgjëra.
  • Ekzaminimi rekto-vaginal.  Gjen përdorim vecanërisht tek pacientet që mund të kenë infeksion, endometriozë ose kancer.
  • Ekzaminimi me spekulum. Realizohet me gruan në pozicion gjinekologjik. Spekulumi është një instrument që ndihmon në vizualizimin e vaginës e cerviksit. Mund të jetë plastik ose metalik.Është një procedurë e padhimbshme.Revizionohen muret e vaginës për eritema, lezione, ndryshime në sekrecione, prezencë apo mungesë të atrofisë.Shikohet cerviksi, forma e tij, sekrecionet, prania ose jo e lezioneve, laceracioneve, erozioneve, polipeve, neoplazive.

Analiza Laboratorike

  • Analizë e sekrecioneve vaginale (Materiali merret gjatë ekzaminimit me spekulum. Kërkohet prania e infeksionit në sekrecionet vaginale.)
  • Kulturë e sekrecioneve (Realizohet në rast të pranisë së infeksionit për të zbuluar llojin e patogjenit dhe trajtimin e duhur në varësi të antibiogramës.)

Ekzaminim Citologjik (Pap test); HPV test

Pap testi është një ekzaminim screening që bëhet për lezionet malinje dhe pre malinje të cerviksit. Kryhet tek femrat të cilat kanë kryer marrëdhënie seksuale. Rekomandohet që Pap testi i parë të kryhet rreth moshës 21 vjec.

Kanceri i cerviksit është lloji i tretë malinj i kancerit tek femrat dhe një ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë.

Si shkaktar kryesor i tij njihet infektimi nga Human Papilloma Virus (HPV). Një risk të lartë kanë femrat me moshë të hershme të fillimit të aktivitetit seksual, me partnerë të shumtë seksualë, infektim nga SST, duhanpirja.

 

Screening për kancerin e cerviksit sipas moshave:

Mosha për të filluar me screening Screening me Pap test në moshën 21 vjec, pavarësisht historisë seksuale

Mosha 21 – 29 vjec Screening me Pap test cdo 3 vjet

Mosha 30 – 65 vjec Screening të kombinuar, Pap test dhe HPV- test cdo 5 vjet ose vetëm screening me Pap test cdo 3 vjet

Mosha për të ndaluar screening Mosha 65 vjec, nëse gruaja ka rezultuar negative në testet e mëparshme dhe nuk ka risk të lartë për kancerin cervikal

Screening pas hysterektomisë Nuk kryhet tek femrat të cilat nuk kanë cerviks si dhe tek ato pa një histori CIN 2, CIN 3, apo edhe kanceri cervikal përgjatë 20 viteve

Femrat e vaksinuara ndaj HPV Ndiqet i njëjti protokoll si tek ato të pa vaksinuarat

 

Përgatitja për Pap test:

  • Trajtimi i infeksioneve vaginale e cervikale përpara kryerjes së Pap testit
  • Duhet kryer në periudhën pas menstruacioneve
  • Duhet të shmangen marrëdhëniet seksuale, dushet vaginale, kremrat vaginale 48 orë përpara kryerjes së procedurës

Procedura kryhet me pacienten në pozicion gjinekologjik. Me anë të një spekulumi ekspozohet cerviksi. Me një spatul të vogël merret material nga pjesa e jashtme e cerviksit (ekzocerviks) dhe me një furcë të vogël merret material në kanalin cervikal (endocerviks). Materiali shtrihet në një lamë, fiksohet më një solucion të vecantë dhe dërgohet në laborator për ekzaminim citogjenetik.

Njëkohësisht me procedurën e Pap testit mund të kryhet edhe HPV- DNA test.

Është një test depistimi për praninë e HPV me risk të lartë.

Njihen rreth 12 shtame të HPV-ve me risk të lartë, por shkaktarët kryesorë të kancerit, jo vetëm të cerviksit, por edhe vaginës, vulvës, njihen shtami 16 dhe 18.

Pas marrjes së përgjigjes së Pap testit; HPV DNA testit, zbatohet protokolli i ndjekjes së mëtejshme apo trajtimit, metodave të tjera të ekzaminimit, në varësi të rastit.

Hysterosalpingografia (HSG)

Është një metodë ekzaminimi radiologjik që kryhet nga mjeku gjinekolog.

Përdoret një lloj i vecantë i rrezeve X i quajtur fluoroskopi dhe materiali i kontrastit. Është një procedurë e shpejtë që zgjat 5-10 minuta.

HSC njihet për përdorimin e saj në vizualizimin e kalueshmërisë tubare, polipeve, leiomiomave submukoze, anomalive mulleriane, sinekive, hidrosalpingitit, salpingitit istmik nodular, adherencave peritubare.

Kundërindikacione të HSC janë shtatzania, reaksioni nga substanca e kontrastit, infeksioni pelvik aktiv.

Procedura realizohet pas ciklit menstrual dhe përpara ovulimit.

Gruaja shtrihet në pozicion gjinekologjik, fokusohet regioni pelvik tek aparati i HSC. Vizualizohet cerviksi me spekulum, bëhet pastrimi i tij. Me anë të një kateteri, përmes cerviksit, injektohet lënda e kontrastit dhe realizohen shkrepje nga aparati. Këto pasqyrohen në formën e grafive. Më pas bëhet interpretimi i tyre.

Procedura nuk është e dhimbshme. Mund të japë një ndjesi diskomforti në fund të barkut dhe shpeshherë spoting.

Kolposkopia

Është procedure minimale invazive që ka si qëllim ekzaminimin e cerviksit, vaginës dhe vulvës. Kolposkopi është i përbërë nga një ndricues dhe një lente zmadhuese.

Indikacionet për kryerjen e këtij ekzaminimi janë:

  • Rezultat jonormal në një Pap test të kryer
  • Hemoragjia post koitale. Edhe pse në të shumtën e rasteve vjen si pasojë e traumave të vaginës dhe cerviksit, hemoragjia post koitale njihet si një ndër shenjat kryesore të kancerit të cerviksit.
  • Konstatimi i një lezioni cervikal jonormal gjatë inspektimit të vaginës e cerviksit për një arsye tjetër

Kolposkopia përdoret për të diagnostikuar:

  • Lythat genitalë
  • Cervicitis (inflamacion i cerviksit)
  • Ndryshime prekanceroze dhe kanceroze të indit cervical
  • Ndryshime prekanceroze dhe kanceroze të indit vaginal
  • Ndryshime prekanceroze dhe kanceroze të indit vulvar

Për të kryer ekzaminimin është e rëndësishme të dihet:

  • Nëse gruaja është apo jo shtatzënë
  • Duhet kryer pas menstruacioneve
  • Dy ditë përpara duhen shmangur marrëdhëniet seksuale, dushet vaginale, tamponet vaginale

Procedura kryhet me gruan e shtrirë në pozicion gjinekologjik.

Ekspozohet cerviksi me anë të një spekulumi.

Pastrohet vagina dhe cerviksi nga sekrecionet.

Aplikohet solucion acidi acetic i holluar 3-5 % mbi cerviks i cili ndihmon në ekspozimin e zonave me ndryshime jonormale që ngjyrosen me të bardhë.

Më pas aplikohet një tjetër solucion, tretësirë Lugoli, që është një tretësirë e përqëndruar Jodi, e cila kur bie në kontakt me epitelin skuamoz normal, duke qënë ky i fundit i pasur me glikogjen, jep një reaksion që shfaqet me ngjyrë kafe të errët. Lezionet jonormale, me një epitel jo të mirëdiferencuar, kanë sasi të pakëta glikogjeni, prandaj emërtohen si Lugoli negative.

Këto zona mund të jenë zona inflamatore, CIN, apo metaplazi.

Ky reaksion është shumë i rëndësishëm për të vendosur nëse një lezion i tillë kërkon biopsi apo jo.

Kolposkopia nuk ka kundërindikcione absolute.

Është e rëndësishme të informohet mjeku juaj në rast se jeni shtatzënënë pasi mund të kërkohet marrja e një biopsie cervikale.

Biopsia Vulvare

Është një procedurë e cila përdoret për diagnostikimin e lezioneve vulvare. Kur këto lezione janë në përmasa të vogla, heqja me biopsi mund të jetë një mënyrë edhe për trajtimin e tyre.

Është një procedurë e thjeshtë, e sigurt, që realizohet me anestezi lokale.

Në  varësi të ankesave të pacienteve lidhur me lezionet vulvare, shpesh diagnoza mund mund të vihet përmes anamnezës, ekzaminimit fizik, mikroskopik, marrjes së kulturës, PCR, si në rastin e dermatitit të kontaktit, infeksionit mykotik nga candida albicans, herpes simplex.

Megjithatë shpeshherë është i nevojshëm ekzaminimi histologjik

 

Lezionet vulvare që mund të diagnostikohen me biopsi janë:

  • Molluscum contagiosum
  • Lichen sclerosis
  • Condyloma
  • Neoplasia intraepiteliale vulvare
  • Carcinoma vulvare

Metodat e marrjes së biopsisë janë të ndryshme në varësi të përmasave të lezionit.

Pas marrjes së përgjigjes do të kryhet konsulta me mjekun gjinekolog për të vendosur mbi ecurinë e mëtejshme të ndjekjes apo trajtimit.

Biopsia Vaginale

Është një procedurë që konsiston në marrjen e indit vaginal dhe dërgimin e tij për ekzaminim histologjik për të diagnostikuar lezione prekanceroze ose kanceroze të vaginës.

Shpesh merret gjatë kolposkopisë.

Biopsia mund të jetë dy llojesh:

  • Punch biopsi, kur merret një sasi e vogël indi nga zona me ndryshime jonormale e vaginës. Kryhet me anestezi lokale.
  • Excision biopsi, kur e gjithë zona me ndryshime jonormale hiqet dhe dërgohet për biopsi. Mund të kryhet me anestezi lokale ose gjenerale.

Pas marrjes së përgjigjes do të vendoset mbi ecurinë e ndjekjes dhe trajtimit të mëtejshëm.

Biopsia Cervikale

Konsiston në marrjen e materialit indor nga cerviksi dhe dërgimin e tij për ekzaminim histologjik. Realizohet zakonisht pas gjetjeve jonormale gjatë ekzaminimit pelvik, Pap testit apo kolposkopisë, si edhe pranisë së infeksionit nga shtame të HPV high risk.

Përmes biopsisë cervikale mund të diagnostikohen lezione prekanceroze dhe kanceroze të cerviksit.

Janë disa lloje biopsish dhe mjeku juaj gjinekolog do të vendosë atë që indikohet në rastin tuaj.

 

  • Punch biopsi (Me një instrument të quajtur biopsy forceps, merret material nga indi cervical)
  • Endocervikal curettage, ECC (Me anë të një kyrete të vogël merret material endocervikal)
  • Cone biopsy (Konsiston në marrjen e materialit indor cervikal me anë të një prerjeje në formë koni. Konizimi përdoret edhe si metodë trajtimi për lezionet prekanceroze cervikale ose stadet e hershme të kancerit cervikal)
  • Loop electrosurgical excision procedure, LEEP (Realizohet heqja e një sasie indi cervikal duke përdorur një ansë të hollë, LOOP, përmes sëcilës kalon rrymë elektrike. Gjithashtu përdoret si metodë trajtimi për lezionet prekanceroze cervikale ose stadet e hershme të kancerit cervikal)

Në raste të vecanta mund të kërkohen ekzaminime të tjera si Rezonancë magnetike, Skaner etj.

No Comments

Comments are closed.

Pershendetje! Si mund tju ndihmojme ?