Endoskopia Gjinekologjike

Endoskopia gjinekologjike është një fushë e kirurgjisë e cila ka si qëllim diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të traktit urogenital më të shpeshta të femrave.

Me endoskopi realizohet vizualizimi i drejtpërdrejtë i një organi apo kaviteti me anë të një instrumenti optik, përmes orificiumeve natyrore apo incizioneve të vogla.

Informacioni i marrë në këtë mënyrë është shumë më i saktë dhe më i besueshëm se nga metodat e tjera diagnostikuese jo invazive.

Në procedurat endoskopike gjinekologjike futen histeroskopia, laparoskopia.

Histeroskopia

Histeroskopia është një metodë dignostikuese dhe terapeutike, ku përmes një instrumenti të quajtur histeroskop, bëhet vizualizimi i vaginës, cerviksit, kavitetit uterin, orificiumeve të tubave të fallopit.

Është një procedurë minimale invazive, nuk përdoret incizion, por shfrytëzohet si rrugë hyrjeje orificiumi cervikal. Kryhet pa anestezi ose me anestezi endovenoze. Ka një kohëzgjatje rreth 20-30 minuta. Është ndërhyrje ambulatore.

Në histeroskopinë diagnostikuese përdoret një histeroskop, instrument optik me diametër rreth 4 mm. Në histeroskopinë terapeutike përdoret një histeroskop kirurgjikal, me diametër rreth5.5 mm, përmes të cilit futen instrumente të tilla si gërshërë, pinca, lazer, roller ball, etj, në varësi të procedurës që do të kryhet.

Indikacionet e histeroskopisë diagnostikuese janë

  • Hemoragjia uterine jonormale premenopauzale ose postmenopauzale
  • Hemoragjia post koitale, metroragjia, pavarësisht përgjigjes normale të Pap-testit
  • Hemoragjia tek femrat obeze, ato me sindrom të ovarit polikistik, tek femrat nën terapi me Tamoksifen, apo kur trajtimi medikamentoz për HMB (heavy menstrual bleeding) ka qënë i pasuksesshëm
  • Konfirmimi i gjetjeve anormale gjatë HSG (histerosalpingografisë) ose gjatë ekografisë (trashjes së endometrit, polipeve endometriale, fibromiomave submukoze)
  • Subfertiliteti
  • Abortet rekurente
  • Sindromi Asherman, anomalitë e duktuseve Mulleriane

Indikacionet e histeroskopisë terapeutike janë

  • Heqja ose shkrirja e adherencave të krijuara nga sipërfaqja e shtresës së brendshme të uterusit (endometrit), i njohur edhe si sindromi Asherman.
  • Vjen zakonisht si pasojë e dilatacionit dhe kyretazhit të kryer pas një aborti apo lindjeje dhe nëse lihet i patrajtuar mund të qojë në infertilitet, aborte rekurente, crregullime të ciklit menstrual, hematometër, në disa raste edhe në endometriozë.
  • Heqja e polipeve endometriale
  • Heqja e fibromiomave submukoze
  • Heqja e septumeve uterine. Janë keqformime të lindura që vijnë si pasojë e rezobimit inkomplet të duktuseve Mulleriane, ku kaviteti uterin ndahet prej një membrane indi muskulor apo fibroz. Nëse lihen pa trajtuar mund të bëhen shkak për infertilitet, aborte rekurente, partus prematurë, keqprezantim fetal.
  • HVM (heavy menstrual bleeding). Realizohet ablacioni endometrial tek femrat me menoragji idiopatike dhe që nuk duan të ruajnë fertilitetin.
  • Kanjulimi i ostiumeve të tubave të fallopit. Okluzioni proksimal i tubave të fallopit mund të vijë nga disa shkaqe, si sëmundja inflamatore pelvike, endometrioza, spazma tubare, polipet, salpingiti istmik nodular. Me anë të histeroskopisë realizohet kanjulimi, hapja e tyre.
  • Heqja e trupave të huaj si dispozitivi intrauterin (DIU), mbetje fetale pas një shtatzanie të ndërprerë.
  • Përmes histeroskopisë së fundi është bërë e mundur aplikimi i disa teknikave të sterilizimit tubar.

Laparoskopia

Laparoskopia gjinekologjike është një metodë kirurgjikale minimale invazive që po zëvendëson kirurgjinë e hapur. Nën anestezi, me anë të përdorimit të një laparoskopi dhe përmes incizioneve të vogla, bëhet i mundur vizualizimi i drejtpërdrejtë i organeve pelvike.

Faza e rikuperimit është më e shpejtë dhe komplikacionet më të pakta krahasuar me kirurgjinë e hapur.

Mund të përdoret për qëllime diagnostikuese ose terapeutike.

Indikacionet e një laparoskopie diagnostikuese janë

  • Një dhimbje pelvike e pashpjegueshme
  • Infertilitet i pashpjegueshëm
  • Një histori infeksioni pelvik

Gjatë laparoskopisë diagnostikuese mund të konstatohet

  • Endometriozë
  • Fibromiomë uterine
  • Kist ovari/ tumor ovarial
  • Shtatzani ektopike
  • Abces pelvik
  • Adherencë pelvike
  • Infertilitet
  • Sëmundje inflamatore pelvike
  • Kancer i organeve të riprodhimit

Indikacione për laparaskopinë terapeutike janë

  • Kistektomia (heqja e kistit ovarial)
  • Ooforektomia (heqja e ovareve)
  • Miomektomia (heqja e fibromiomave)
  • Hysterektomia (heqja e uterusit)
  • Trajtimi i endometriozës (ablacioni i indit endometrial)
  • Adherenciolisis (heqja e adherencave)
  • Sterilizimi tubar (ligaturë e tubave) si edhe heqja e ligaturave
  • Trajtimi i incontinences urinare
  • Trajtimi i prolapsit uterin

No Comments

Comments are closed.

Pershendetje! Si mund tju ndihmojme ?