Me të kaluar shtatzaninë, lindjen, ktheheni në shtëpi me beben tuaj, aty ku tashmë fillon rrugëtimi juaj sëbashku.
Është shumë e rëndësishme të ndiqni këshillat që merrni nga mjeku për kujdesin ndaj foshnjës suaj përpara daljes nga spitali, për periudhën neonatale. Kjo përfshin 28 ditët e para pas lindjes.
Cilat janë ato aspekte të cilave duhet tu kushtohet më shumë rëndësi?
Një bebe e porsalindur ka nevojë për
- Prezencën e vazhdueshme të nënës së tij
- Kujdesin e prindërve
- Një mjedis të sigurt
- Temperaturë të përshtatshme ambientale
- Ushqyerjen në mënyrë korrekte
- Pastërti
- Përkëdhelje, stimulim nga ana e prindërve, lidhje emocionale me ta

Cfarë duhet t’ju bëjë të shqetësoheni për beben tuaj?
- Në rast se foshnja juaj fle pjesën më të madhe të kohës, është i përgjumur, nuk reagon sic duhet
- Nuk ushqehet mirë
- Vjell ose pështyn shpesh herë
- Ka frymëmarrje shumë të shpeshtë, me vështirësi
- Kur e prekni lëkurën e tij është më e nxehtë apo e fohtë nga cduhet
- Nuk defekon, defekon rrallë dhe me vështirësi ose me fece të ujshme apo me ngjyrë jeshile
- Ka ndryshime në ngjyrën e lëkurës ose të syve, zverdhje
Disa këshilla për tu kujdesur për beben tuaj të porsalindur:
- Higjena juaj: Lani duart me kujdes përpara se ta merrni beben, sistemi imunitar i tij është më i dobët se ai i një të rrituri dhe rreziku i transmetimit të infeksioneve është më i lartë.
- Mbajtja në krah: Mbajeni sic duhet në krah duke siguruar një mbështetje korrekte për kokën dhe qafën, mos e lëvizni me forcë, mos e shkundni apo të bëni lëvizje të menjëhershmë lënduese për të
- Larja e bebes: Një foshnje nuk e ka të nevojshme larjen cdo ditë. Foshnja kur lind është e veshur nga vernix caseosa, që nuk rekomandohet të hiqet menjëherë pas lindjes. Lajeni në një ambient me temperaturë të përshtatshme, 24- 27 0C, me ujë të ngrohtë dhe mos përdorni shampo, locione, kremra, të paktën për dy javët e para.Më pas kur të përdorni një të tillë, sigurohuni që të ketë një pH neutral dhe të jetë i përshtatshëm për moshën e bebes, pa substanca irrituese.
- Ndërrimi i pelenave: Ndërroni pelenat e ndotura sa më shpejt të jetë e mundur; përdorni pelena të pambukta; lani të ndenjurat e bebes suaj me ujë të ngrohtë dhe sapun me pH neutral. Nuk është e nevojshme të lahet sa herë që ndërrohen pelenat. Gjithashtu nuk këshillohet përdorimi pas cdo larjeje i kremrave apo pudrave. Nuk duhet të përdoren pecetat e lagura pasi mund të jenë irrituese për lëkurën.
- Kujdesi për cungun e kordonit umbilikal/ kërthizën.Cungu i kordonit umbilikal duhet të bjerë në javën e parë të jetës. Nëse nuk bie brenda dy javëve, duhet të konsultoheni me mjekun neonatolog. Zona e kërthizës duhet mbajtur sa më e thatë, Kur ndotet duhet të pastrohet me një disk pambuku me ujë të ngrohtë e sapun me ph neutral në sasi të pakët. Nuk duhet të përdoren dezinfektantë si psh. alkooli apo jodi. Nuk duhet mbuluar.
- Ushqyerja: Ushqyerja me gji do ishte idealja për beben tuaj. Zakonisht ushqyerja bëhet cdo 2-3 orë. Qumështi i gjirit tretet më mirë, ul mundësinë për diarre, konstipacion, kolika abdominale të bebes, ka më pak mundësi për të vjella. Bebet që ushqehen me gji preken më pak nga infeksionet. Ndihmon gjithashtu në forcimin e lidhjes së nënës me fëmijën.
- Konstipacioni: Shenja që fëmija juaj ka konstipacion janë ulja e shpeshtësisë së defekimit, më pak se 3 herë në javë, fece të forta, të thata, si toptha të vegjël, dhimbje gjatë defekimit, fryrje barku. Kur fëmija ushqehet me gji, mundësitë për konstipacion janë të rralla. Arsye të konstipacionit mund të jenë mungesa e marrjes së mjaftueshme të lëngjeve si dhe përgatitja në masa jo të duhura e qumështit me formulë.Ju mund ta ndihmoni me anë të masazhimit të barkut, gjimnastikës së këmbëve.Nuk duhet t’i jepni laksativë pa rekomandimin e mjekut.

- Kolikat abdominale: Janë dhimbje barku në formë krizash që prekin bebet zakonisht rreth javës së 3-të të jetës, zgjasin rreth 3 orë në ditë për të paktën 3 javë. Rreth muajit të 3-të apo të 4-t qetësohen. Janë dhimbje të menjëhershme, pa shkak, shoqërohen me të qara të mëdha, shtrëngime të fëmijës. Nuk janë të dëmshme, foshnja duhet të vazhdojë të ushqehet dhe të shtojë në peshë si zakonisht.Ju mund ta ndihmoni beben tuaj duke e lëkundur lehtë mbi krahët tuaj në pozicion vertikal, mund t’i bëni banja me ujë të ngrohtë. Pas ushqyerjes mbajeni në krah fëmijën që të mund të eleminojë me anë të gromësirave ajrin e gëlltitur.Është e këshillueshme për nënat që ushqejnë fëmijën me gji të shmangin përdorimin e alkoolit, ushqimeve pikante, kafeinës. Mund të eleminohen nga dieta produktet e qumështit, për të parë nëse foshnja ka intolerancë ndaj proteinave të qumështit të lopës apo produkteve të tij.
- Gjumi: Të porsalindurit flenë rreth 16 orë në ditë, me intervale zakonisht 2-4 orë. Këshillohet që në 6 muajt e parë të jetës, bebet të flenë në një dhomë me prindërit, por në një krevat më vetë. Pozicioni i duhur është ai me kurriz, në këtë mënyrë reduktohet edhe rreziku i vdekjes së papritur foshnjore.
- Temperatura: Është shqetësuese një temperaturë më e lartë se 37.5 0C apo më e ulët se 35.40 Në rast temperature të ulët, kontrolloni fillimisht dhe shmangni nëse bebeja juaj është ekspozuar në një ambient të ftohtë, të lagësht, nëse është veshur hollë.Shkak për një temperaturë më të lartë mund të bëhet dhe veshja trashë, ekspozimi në diell, temperatura të larta.Metodat me kompresa, banjat me ujë të vakët, këshillohet të përdoren vetëm në rastet e një hipertermie të rëndë.Konsultohuni me mjekun mbi përdorimin e antipiretikëve.
Kujdesi i një të porsalinduri kërkon një ndjekje të vazhdueshme. Nuk duhet të nënvlerësoni asnjë shenjë shqetësuese, ndryshim që vini re tek foshnja juaj, pasi shëndeti i të porsalindurit është shumë më delikat se ai i një të rrituri. Drejtohuni menjëherë tek mjeku! Zbatoni protokollet e vizitave të të porsalindurit!
No Comments