Trajtim Infertiliteti

Infertiliteti është pamundësia për të konceptuar (pavarësisht shkakut), pas 1 viti marrëdhëniesh seksuale të rregullta, të pambrojtura. Prek rreth 10-15 % të cifteve në moshë riprodhimi.

Faktorët që mund të qojnë në infertilitet janë të shumtë dhe infertiliteti është një disiplinë mjaft komplekse. Është shumë e nevojshme të merret një anamnezë e detajuar e të dy partnerëve dhe të kryhet një ekzaminim i hollësishëm. Në këtë mënyrë bëhët e mundur evidentimi i shkakut të infertilitetit dhe mënyra e duhur e trajtimit të tij.

Kjo është edhe një ndër arsyet pse është i rëndësishëm këshillimi dhe kontrolli prekoncepsional, konsulta përpara se një cift të planifikojë të ketë një fëmijë.

Faktorët e infertilitetit femëror janë

  • Cervikal (stenozë apo anomali të bashkëveprimit mukus-spermë)
  • Uterinë (anomali kongenitale apo të fituara, mund të prekin endometrin ose miometrin, mund të shkaktojnë infertilitet primar, abort, ose partus prematurë)
  • Ovariale (alterime të frekuencës dhe kohëzgjatjes së ciklit menstrual; anovulimi, i cili është edhe shkaku më i shpeshtë i infertilitetit)
  • Tubare ( anomali tubare të lindura ose të fituara)
  • Peritoneale ( anomali të anatomisë apo crregullime të fiziologjisë normale, si psh. masat adneksiale, adherencat, infeksioni pelvik, endometrioza)

Faktorët e infertilitetit mashkullor janë:

  • Testikularë (gjenetikë ose jo)
  • Pretestikularë ( anomali te lindura ose të fituara të hipotalamusit, hipofizës, apo organeve periferike që alterojnë funksionimin e aksit hipotalamo – hipofizar)
  • Post testikularë (anomali të lindura apo të fituara të cilat crregullojnë transportin e spermës përmes sistemit duktal)

Faktorë të infertilitetit që prekin dy gjinitë

  • mosha e avancuar
  • faktorë mjedisorë
  • ushtrime fizike të tepruara
  • efekte toksike të drograve
  • humbja ose shtimi i tepërt në peshë

Cdo cift është një rast i vecantë edhe trajtohet si i tillë

Në mënyrë që të mund të vihet diagnoza e saktë dhe të bëhet trajtimi, është e nevojshme të kryhen disa nga ekzaminimet e mëposhtme, jo të gjitha:
  • Marrja e një anamneze të detajuar e të dy partnerëve nga ana e mjekut obstetër
  • Ekzaminimi objektiv
  • Kryerja e spermogramës dhe analizave hormonale tek mashkulli. Mund të jetë e nevojshme ekografia e testeve dhe kontrolli nga mjeku urolog.
  • Kryerja e ekzaminimeve tek femra:
  1. vizitë gjinekologjike (me spekulum dhe bimanuale)
  2. ekografi gjinekologjike (ekzaminim i uterusit dhe adnekseve, monitorim folikular)
  3. kryerja e Pap testit dhe kultura e sekrecioneve (për Gonorrhea, Clamidia, Ureaplasma Urealyticum, Mycoplasma Hominis)
  4. analiza hormonale: matja e nivelit të progresteronit, hormoneve të tiroides, nivelit të prolaktinës (PRL), hormonit folikulo-stimulues (FSH), estradiolit, hormonit antimullerian (AMH)
  5. Histeroskopia (histeroskopi diagnostikuese për vizualizimin e cerviksit, kavitetit uterin, ostiumeve tubare si dhe histeroskopi terapeutike për korigjimin e patologjive cervikale, uterine dhe ostiumeve tubare)
  6. Histerosalpingografia (HSG), procedurë e cila përdor rrezet X për të dhënë imazhe të kavitetit uterin dhe tubave të fallopit; në rast se ka obstruksion marrim informacion edhe për nivelin e obstruksionit.
  7. Laparoskopi (ps. Shiko: Endoskopi gjinekologjike)

Trajtimi i infertilitetit mund të jetë 3 llojesh

  1. Medikamentoz (në varësi të shkakut të infertilitetit, pas konsultës me mjekun obstetër)
  2. Kirurgjikal (janë disa procedura kirurgjikale endoskopike tek femrat për diagnostikimin dhe trajtimin e shkaqeve të ndryshme të fertilitetit si në rastin e endometriozës, sindromit të ovarit polikistik PCOS, fibromiomave submukoze, anomalive të lindura e të fituara uterine); gjithashtu edhe tek meshkujt në rast obstruksioni epididimal.
  3. Teknikat e riprodhimit të asistuar:
  • Inseminimi intrauterin (IUI)
  • I njohur ndryshe si inseminimi artificial, konsiston në inserimin e spermës me anë të një kateteri të hollë, fleksibël, përmes cerviksit në kavitetin uterin. Më përpara sperma i nënshtrohet një kontrolli në mënyrë të vecantë.
  • Fertilizimi in vitro (IVF). Është një procedurë ku fertilizimi ndodh jashtë trupit të femrës. Vezët merren nga ovaret e femrës përmes një procedure Pick Up dhe bashkohen në laborator me spermatozoidët e marrë nga partneri. Veza e fertilizuar inserohet në uterus për tu rritur e zhvilluar. Ekzistojnë metoda të ndryshme IVF. Në varësi të shkakut të infertilitetit zgjidhet edhe mënyra e përshtatshme për ciftin.
  • Dhurimi i vezëve: Indikohet në rastet e femrave me një rezervë shumë të ulët ovariale, menopauzë të parakohshme.
  • Dhurimi i spermës: Indikohet në rastet kur partneri mashkull ka azoospermi; kur femra nuk ka një partner dhe dëshiron të bëhet nënë.

Në mënyrë që të mund të vihet diagnoza e saktë dhe të bëhet trajtimi, është e nevojshme të kryhen disa nga ekzaminimet e mesiperme, jo të gjitha

No Comments

Comments are closed.

Pershendetje! Si mund tju ndihmojme ?