Ekografi 3D/4D

Ekografia është një metodë diagnostikuese, ku përmes përdorimit të ultratingujve me frekuencë të lartë, realizohet vizualizimi i strukturave të brendshme të trupit.

Është një metodë e sigurt, jo invazive, për këtë arsye gjen një përdorim të madh në fushën e obstetrikës dhe gjinekologjisë.

Diferenca mes ekografive 2D, 3D, 4D, qëndron në numrin e dimensioneve të cilat ato shfaqin: 2 dimensionale, ku pamja duket e sheshtë dhe imazhi bardhë e zi, 3 dimensionale ku ajo i ngjan më tepër pamjes reale. Përmes ekografit, rindërtohen një seri seksionesh 2D për të dhënë një imazh 3D. Në ekografinë 4D shtohet dhe një dimension tjetër që është koha, prandaj shfaqen imazhe 3D në lëvizje.

Gjatë ekzaminimit, mjeku obstetër-gjinekolog përdor imazhet 2D, përmes të cilave bëhet i mundur një vlerësim i detajuar i anatomisë dhe morfologjisë fetale

Ekografia 3D ka disa avantazhe:

Në obstetrikë:

  • Ndihmon në vizualizimin më të qartë të strukturave kardiake
  • Diagnozën e anomalive të fytyrës, të buzëve (cleft lip)
  • Diagnozën e defekteve të skeletit, tubit neural

Në gjinekologji:

  • Diagnozën e anomalive kongenitale uterine
  • Uro-gjinekologji

Ekografia 3D dhe 4D përdoren për të hedhur fotot e para më të bukura në albumin e bebes suaj dhe për të ruajtur në video përshëndetjet, te qeshurat, të qarat, pozat e marra që në barkun e nënës.

Ekografia Gjinekologjike

Është një ekzaminim jo invaziv, ku përmes imazheve të përftuara nga emetimi i ultratingujve realizohet vizualizimi i organeve dhe strukturave të pelvisit femëror, uterusit, cerviksit, vaginës, ovareve dhe tubave të fallopit.

Është një ekzaminim i sigurt, i padhimbshëm dhe me kosto të ulët. Kryhet me sondë abdominale ose vaginale. Gjen përdorim në rastet e mëposhtme:

  • Diagnostikimi i masave adneksiale pelvike
  • Investigimi i hemoragjive post menopauzike (vizualizimi dhe matja e trashësisë së endometrit)
  • Investigimi i menoragjisë
  • Diagnoza e fibromiomave dhe adenomiosis
  • Diagnostikimi i anomalive uterine
  • Vlerësimi i dhimbjes pelvike
  • Monitorimi folikular
  • Ndjekje gjatë procesit te Pick-up për IVF
  • Screening për kancerin e ovarit
  • Shtatzania ektopike, lokalizimi i implantimit
  • Vlerësimi i amenorrhesë primare
  • Ndjekja gjatë trajtimit të kisteve ovariale (medikamentoz dhe aspirimi kistik), si edhe shtatzanisë ektopike me Methotrexate
  • Përcaktimi i kufijve të kavitetit uterin gjatë ekzaminimit me histerografi me perfuzione saline
  • Vlerësimi tubar në rast infertiliteti
  • Vendosje dispozitivi intrauterin (DIU)

Ekografia Obstetrikale

Ekografia e parë e gravidancës

Kryhet që nga fillimi i shtatzanisë dhe deri në javën e 12.Realizohet kur indikohet nga mjeku obstetër. Indikacionet e saj janë:

  • Konfirmimi i një gravidance
  • Vlerësimi i lokalizimit të saj, intrauterine/ ekstrauterine
  • Vitaliteti i embrionit apo fetusit
  • Numri i sakuseve gestacionalë, embrioneve, placentave
  • Konfirmimi i moshës getacionale, krahasimi me datën e parë të menstruacioneve të fundit për të përcaktuar edhe datën e përafërt të lindjes
  • Vlerësimi i patologjive uterine dhe adnekseve fetale
  • Vlerësimi për rrezik aborti
  • Vlerësimi i cerviksit

Në rastet kur indikohet nga mjeku obstetër realizohet dhe ekografi doppler e arterieve uterine për vlerësimin e rrezikut për preeklampsi.

Ekografi dhe screening per kromozomopati në tremujorin e parë

Është ekzaminim i kombinuar, ekografi dhe analizë gjaku Bitest, që realizohet nga java 11-14.

Kur këto të dyja shoqërohen sëbashku mund të bëhet një vlerësim mbi riskun për kromozomopati që paraqet ajo shtatzani.

Së pari marrim në konsideratë moshën e nënës dhe përmes ekografisë  bëhet matje e kujdesshme e gjatësisë së fetusit, translucencës nukale, frekuencës së rrahjeve të zemrës fetale, vlerësohet prezenca e kockës nazale.

Përmes një analize gjaku të marrë nga nëna bëhet matja e nivelit të free- B hCG dhe PAPP-A.

Nga kombinimi i këtyre të dyjave llogaritet risku për sindromin Down, Edwards, Patau.

Në rast se kryhet edhe analiza e gjakut, Bitest-i, mundësitë për të detektuar një fetus me anomali kromozomale shkojnë deri në 80-90%.

Ka një sensitivitet më të lartë për anomali kromozomale se Tripple test.

Ekografia Pre-Morfologjike

Realizohet nga java e 14-16 e shtatzanisë. Indikohet sidomos për ato shtatzani me risk të lartë për anomali të vecanta, sidomos ato kardiake, apo që kanë rezultuar me risk të lartë nga Bi-testi.

Bëhet një vlerësim i atyre strukturave fetale që tashmë janë zhvilluar në këtë moshë barre. Vleresohen:

  • Markers për trisominë 21 (Sindromi Dawn): trashësia e plikës nukale, prezenca e kockës nazale
  • Soft markers: lezione hiperekogene kardiake (golf ball), kistet e pleksusit koroidal, pielektazia renale, hiperekogeniciteti intestinal, vonesa në rritje

Një anatomi fetale normale në këtë moshë barre ul ndjeshëm riskun për anomali kromozomale, ndërsa një detektim i një anomalie, është brenda intervalit kohor për të mund të kryer testin invaziv, amniocentezën.

Është metodë screening dhe nuk zëvendëson ekografinë morfologjike.

 

Ekografi dhe screening për anomali në tremujorin e dytë

Është ekzaminim i kombinuar ekografi dhe analizë gjaku Tripple test, që kryhet nga java 15-19 e shtatzanisë. Ka një sensitivitet më të ulët se Bitest-i, ndaj sugjerohet kryesisht në ato raste kur nuk ka qënë i mundur kryerja e Bitest-it, kur gruaja paraqitet më vonë tek mjeku, në tremujorin e dytë. Bëhet matja e disa parametrave fetalë me anë të ekografisë. Më pas, përmes një analize gjaku të marrë nga nëna, vlerësohet Alfa-fetoproteina, estrioli dhe B-hCG.

Pas rezultatit të marrë edhe nga analiza Tripple test, llogaritet risku për anomali kromozomale, gjenetike. Është më i vlefshëm për Sindromin Dawn, Sindromin Edwards, si edhe për defekte të tubit neural (spina bifida, anencefalia).

Mundësitë për të detektuar një fetus me anomali me anë të kësaj metode shkojnë deri në 60%.

Ekografia morfologjike

Është ekzaminim që kryhet nga java 20-23 e shtatzanisë. Është një rutinë e praktikës obstetrikale që duhet të kryhet nga cdo grua shtatzënë. Jo të gjitha anomalitë mund të detektohen me ekografinë morfologjike.

Ka shumë patologji që nuk shoqërohen me ndryshime morfologjike.Me anë të ekografisë morfologjike bëhet një studim i hollësishëm i:

  • numrit të fetuseve
  • aktivitetit kardiak fetal
  • biometrisë fetale, vlerësimit të rritjes fetale
  • anatomisë fetale: ekzaminim i detajuar i kokës (suturave të kafkës, strukturave të trurit), qafës, fytyrës, organeve abdominale e pelvike (diafragma, stomaku, kolecista, renet, vezika urinare, muri abdominal), toraksit (brinjët, pulmonet, zemra), kolona vertebrale, gjymtyrët, gjinia.
  • Lokalizimit të placentës, kordonit umbilikal
  • Likidit amniotik
  • Gjatësisë cervikale
  • Lëvizjeve fetale
  • Vlerësimit të uterusit të nënës, praninë e masave uterine apo adneksiale.

Ekokardiografia fetale

Preferohet të kryhet ndërmjet javës 24-28 të shtatzanisë, por është mjaft variabël. Në rast dyshimi apo pranie të një patologjie të vecantë, mund të kryhet në cfarëdo lloj moshe barre duke filluar nga java e 16-të. Ekokardiografia fetale ka disa indikacione të vecanta dhe vendoset të kryhet pas një konsulte me mjekun obstetër.

Indikacionet për ekokardiografinë janë:

  • Histori familjare për patologji kardiake gjenetike
  • Një fëmijë tjetër i lindur me një defekt kardiak
  • Anomali gjenetike të konstatuara tek fetusi
  • Anomali morfologjike të konstatuara gjatë ekzaminimeve të mëparshme ekografike
  • Marrja e medikamenteve gjatë shtatzanisë të cilat mund të shkaktojnë anomali kardiake kongenitale, të tilla si antiinflamatorë jo steriodë, antiepileptikë, antidepresivë, antihipertensivë (ACE-inhibitorë), medikamente për trajtimin e akneve etj
  • Konsumimi i alkoolit apo drograve nga nëna gjatë shtatzanisë
  • Infektimi gjatë shtatzanisë me infeksione të tilla si Rubeola, Citomegalovirusi
  • Patologji amtare si Diabeti Mellitus, Lupusi eritematoz sistemik, Fenilketonuria
  • Rezultate jonormale në teste të mëparshme të kryera gjatë shtatzanisë
  • Frekuencë jonormale e rrahjeve fetale e konstatuar në ekografitë e mëparshme
  • Konceptim me anë të teknikave të riprodhimit të asistuar
  • Mosha e avancuar e nënës

Rëndësia e ekokardiografisë:

Detektimi i defekteve kardiake përpara lindjes është mjaft i rëndësishëm sepse:

  • Në disa raste problemi mund të trajtohet që përpara lindjes
  • Mjeku vihet në dijeni për problemet që mund të shfaqen gjatë apo pas lindjes
  • Mund të jetë e nevojshme planifikimi i vendit dhe datës së lindjes, nevoja për një kujdes më të specializuar për bebin pas lindjes
  • Pas lindjes së bebit mund të jetë e nevojshme trajtimi i menjëhershëm i tij me medikamente apo kirurgji

Eko – fluksimetria fetale

Kjo ekografi kryhet duke u nisur nga java e 32-të e shtatzanisë. Bëhet biometria fetale, vlerësimi i rritjes fetale. Vlerësohet pozicioni fetal, lokalizimi dhe struktura e placentës, likidi amnial.

Realizohet  fluksimetria fetale, teknikë ku përmes ultratingujve vlerësohet sasia dhe shpejtësia e qarkullimit të gjakut tek fetusi dhe placenta. Konkretisht bëhet fluksimetri e arteries umbilikale, arteries cerebrale media dhe aortës. Përmes tyre merret informacion i vlefshëm mbi oksigjenimin fetal.

Është e nevojshme vecanërisht në kushte të pranisë së hipertensionit amtar, diabetit gestacional, vonesë rritjeje in utero, gravidancë në risk, pranisë së malformimeve fetale.

Ekografi e trimestrit të 3-të / fluksimetri

Realizohet nga java 36-39-të e shtatzanisë për të vlerësuar rritjen fetale, pozicionin fetal, lokalizimin dhe strukturën e placentës, likidin amnial.

Gjithashtu bëhet fluksimetria për tu informuar mbi qarkullimin e gjakut fetal, situatave riskuese për fetusin.

No Comments

Comments are closed.

Pershendetje! Si mund tju ndihmojme ?